Kryeministri Edi Rama po tregon nga dita në ditë që ka një luftë të hapur me Perëndimin dhe kjo u pa shumë qartë në forumin European Alpbach. Kreu i qeverisë në fjalimin e tij para pak ditësh, është shfaqur i pakënaqur me ndërkombëtarët dhe ka konsideruar Rusinë dhe Kinën si partnere të besueshme.
Rama ka ngritur në qiell presidentin Erdogan, por edhe Pekinin, të cilët i cilësoi si shpëtimtarë të Shqipërisë në kohët e saj më të vështira. Ai theksoi se pa Turqinë, nuk do të kishim pasur vaksina për luftën ndaj koronavirusit. “Kur diskutojmë gjeostrategjinë flasim për aktorë të tretë, të cilët nuk duhet të lejohen të hyjnë në Ballkanin Perëndimor, por kur vjen fjala për një çështje jete a vdekje është Kina që shpëton mjaft jetë në Ballkanin Perëndimor, është Rusia dhe është Turqia. Pa Presidentin e Turqisë nuk do të kishim pasur vaksinat”, tha Rama.
Por kreu i qeverisë “harroi” të tregonte se vetë u vaksinua me Pfizer, dhe jo me Sputnik dhe as me vaksinën kineze. Vaksinat që erdhën nga Turqia dhe Kina ua rezervoi shqiptarëve të thjeshtë, që për t’i bindur se ishin më të mirat në botë përpara se ato të merrnin çertifikimin mjekësor evropian, i shoqëroi me një lumë sharjesh për BE.
Rama kërkon të kthejmë vëmendjen nga Lindja e Mesme
Gjithashtu, në vend që kryeministri të bënte thirrje që vendi ynë të kthente sytë drejt Perëndimit, tha se Lindja e Mesme mund ta ndihmojë më shumë Shqipërinë. “Ne mund të ecim shumë më shpejt për të ndryshuar tërë natyrën e prodhimit tonë të energjisë. Por për këtë kemi nevojë për Arabinë Saudite për shembull.
Kemi nevojë të shohim nga Lindja e Mesme. E po përmend Arabinë Saudite sepse ka një potencial të stërmadh për të krijuar bashkëpunim bazuar në vizionin e 2030 që po kështu ka të bëjë me eksportimin, pra për ta bërë Arabinë Saudite, imagjinojeni, ata janë të ulur mbi naftë e duan të bëhen të vetëmjaftueshëm në energjinë e gjelbër dhe eksportues neto të energjisë së gjelbër”, u shpreh Rama.
Rama shfaqet si zëdhënës shtypi i Serbisë
Nga ana tjetër në këtë forum, kryeministri Rama ka habitur me deklaratën, teksa foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kosova u çlirua nga fuqitë e mëdha, fuqitë demokratike nga një regjim barbar. Por pa gjejeni? Nën regjimin barbar, ata mund të lëviznin lirisht nëpër Evropë.
Me çlirimtarët ata janë peng, nuk mund të lëvizin lirisht. Kështu që, gjyshërit e fëmijëve që kanë lindur në Kosovën e lirë dhe që tashmë janë në moshë madhore mund të shkonin në Gjermani, të vinin në Austri, edhe të punonin. Fëmijët nuk mund të lëvizin sepse nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën”, tha Rama.
Gjithashtu, gjatë gjithë kësaj periudhe së fundmi, Rama në një deklaratë rreth qëndrimit të tij ndaj Serbisë është munduar sërish të justifikojë vëllanë Vuçiç, në raport me besnikërinë “qenërore” që po mban ndaj Rusisë. Në reagimin e tij, Edi Rama kërkoi që, luf ta të rrijë larg nga Ballkani dhe e vetmja mënyrë është që, Perëndimi mos ti kërkojë Serbisë të prishë marrëdhëniet me Rusinë.
Por në këtë mënyrë Rama kërkoi indirekt mosnjohjen e Kosovës, pasi vetë Beogradi e ka pranuar se qëndrimi i tij pro-rus është linja që mban Vladimir Putini për Kosovën, ku Rusia nuk e njeh si shtet.
Përplasja e Ramës me SHBA
Lufta e fortë me ndërkombëtarët, është parë në qëndrimet e forta të Ramës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta “SOT” gjatë kohëve të fundit ka pasqyruar disa episode që tregojnë se shefi i qeverisë shqiptare po manifeston një lloj ngërçi me politikën zyrtare amerikane në Shqipëri, ku herë pas here shihet qartë teksa ai ka shigjetuar ambasadën amerikane dhe kreun e saj në Tiranë për politika ndërhyrëse, duke e quajtur sekretare partia parie dhe i kërkuar hapur që të mos përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë.
Qartë kjo strategji e ndjekur nga Rama, tregon se shefi i qeverisë shqiptare nuk i ka punët mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.