Ish-shefi i Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa ka komentuar situatën politike, debatin për dosjet dhe spiunët e ish-Sigurimit, lëvizjen studentore të viteve ’90 dhe jovetëm. 22 vite më parë lindi lëvizja e studentëve, e cila solli më pas rrëzimin regjimit komunist.
Më 8 dhjetor 1990 u hodhën bazat e lëvizjes së dhjetorit, por edhe sot e kësaj dite ka shumë debate dhe diskutime mbi këtë lëvizje. Ka shumë nga ata që thonë se lëvizja lindi vërtet nga studentët, por u grabit më pas nga ata që më vonë krijuan Partinë Demokratike. Shumë të tjerë thonë se ajo u iniciua nga brenda Partisë Komuniste dhe vetë Ramiz Alia.
Mbi këtë çështje gazeta “SOT” ka kontaktuar me një ndër individët që ishte brenda sistemit dhe kishte dijeni për atë se çfarë ndodhte. Bëhet fjalë për Muharrem Xhafën, i cili gjatë një interviste speciale që do vijojë edhe në dy numra të tjerë në gazetën “SOT”, tregon se si Alia komandoi Berishën për të menaxhuar protestën, ndërsa ka dhënë detaje mbi atë se çfarë ndodhi realisht deri në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të para pluraliste.
-Zoti Xhafa, kohët e fundit Shqipëria është përfshirë nga debati për dosjet e regjimit të kaluar, ku thuhet se ish-presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe shumë figurat të larta politike, pjesë e lëvizjes studentore në vitin 1990 kanë qenë bashkëpunëtor apo spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit. Ju keni qenë shef i sektorit të Edukimit në KQ të PPSH të asaj kohe dhe i kini ndjekur ato zhvillime. Çfarë ndodhi më 8 dhjetor dhe a është e vërtetë se ajo lëvizje ishte e orkestruar nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia?
Në rradh? të parë ju falenderoj që keni gjetur pak kohë nga koha juaj e vyer për të më intervistuar në këtë fundgushti dhe më vjen mirë që lexuesi i gazetës “SOT”, është i “uritur” për të lexuar pikëpamjet e mia dhe pse jo për të mësuar më shumë detaje rreth ngjarjeve që mbërthyen vendin në fillim të viteve ’90. Kështu që po hyj në brendi të pyetjes suaj.
Si shumë të tjerë edhe unë e kam ndjekur debatin. Për pozicionin që kam mbajtur në aparatin e KQ të PPSH-së, sigurisht që kam pasur dijeni dhe për lëvizjen studentore të dhjetorit ’90. Madje, kam mbajtur shënime për ngjarjet, përfshirë dhe protagonistët e lëvizjes e të deleguarit e Ramiz Alisë të ngarkuar në shërbim të asaj lëvizjeje.
Në librin “Kur tradhtohej socializmi” i botuar më 2010, jam shprehur në këndvështrimin tim për lëvizjen në fjalë. Për atë lëvizje është shkruar e folur shumë në shtyp e në televizione, janë thënë gjëra të qenë e të paqena, të vërteta e gënjeshtra, janë angazhuar njerëz që kanë pasur dijeni e përgjegjësi, po edhe njerëz që mund t’u thuash gënjeshtarë.
Një ab uzim i madh po ndodh dhe në debatin e këtyre ditëve, në të cilin janë përfshirë “trima pas betejës”, duke shtrembëruar të vërtetën, tani që vdiq Ramiz Alia e protagonistë të tjerë të atyre ngjarjeve, të cilët i kontribuuan përmbysjes së socializmit në Shqipëri.
– Pra, vijmë te pyetja direkt: ishte apo jo lëvizja e dhjetorit ’90 e orkestruar nga PPSH dhe Ramiz Alia?
Shiko, lëvizja studentore ’90 nuk erdhi si diçka e beftë, ajo është paraprirë nga të tjera ngjarje, të cilat nisën pas rënies së Murit të Berlinit në fund të vitit 1989. Jam i sigurt që shumë njerëz, intelektualë sidomos, nuk i kanë harruar artikujt e botuar në “Zërin e Popullit”, intervistat në “Zërin e Amerikës”, debatet për idetë e shprehura në to dhe bartësit e tyre, etj.
Pse, a nuk i dinte këto zhvillime “të reja” udhëheqja e lartë e Partisë dhe Ramiz Alia, të cilat binin ndesh me vijën politike zyrtare të socializmit?! Të gjitha diheshin, po Ramizi i toleronte dhe i nxiste sa mundej “duke hedhur gurin e fshehur dorën”! Padyshim, ajo që po ndodhte ishte një tatim pulsi dhe njëherësh përgatitje për veprime të tjera në formën e protestave, demonstratave e konflikteve politiko-shoqërore, të cilat, pas futjes së familjes Popa në ambasadën e Italisë, ngjarjes së ambasadave më 2 korrik 1990, eksodit të shqiptarëve drejt vendeve perëndimore e të tjera, nuk do të vononin të dilnin në forma më të ashpra, në dhjetor të vitit 1990 e më pas.
Saktë, ato nisën pasditen e 8 dhjetorit të atij viti me demonstratën e studentëve në qytetin “Studenti”. Ndaj them se lëvizja e dhjetorit ‘90 nuk u shfaq “një ditë të bukur” të atij muaji, po erdhi si pasojë e një vargu ngjarjesh të mëparshme, ishte e ideuar dhe e drejtuar me kujdes e nën rrogoz nga agjenturat e huaja, me dijeninë e Ramiz Alisë e të asaj pjese të udhëheqjes, e cila mbështeste Ramizin. Unë nuk dua të hamendësoj, siç dëgjoj të thuhet, se Ramiz Alia ka qenë agjent i vjetër dhe ka punuar kundër socializmit, PPSH-së dhe Enver Hoxhës, qysh kur Enveri ishte në krye të Partisë e të popullit.
Po i sigurt jam se, që nga Kongresi i 9-të i PPSH-së e deri në Kongresin e 10-të të saj, në krye të Partisë së Punës e të shtetit shqiptar, Ramiz Alia ka punuar fort për të rrëzuar e për të ç’kurorëzuar Enver Hoxhën, për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri, nën udhëzimet e drejtimin e agjenturave të huaja euroatlantike.
Pas vd ekj es së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, Partia e Punës nuk ishte më Partia që udhëhoqi LANÇ-in dhe ndërtimin e socializmit dhe Shqipëria nuk ecte më në rrugën e revolucionit e të ndërtimit socialist. S’kam qenë anëtar i Byrosë Politike e Sekretar i KQ të Partisë së Punës, d.m.th atje ku vendoseshin gjërat në sekret të plotë, por, si shef sektori dhe anëtar i Partisë në një organizatë-bazë me Ramiz Alinë (“çudi” del sot një instruktor më i informuar), nuk kam dëgjuar të flitej prej tij për gabime të Enver Hoxhës dhe për kthim të Shqipërisë në kapitalizëm, përkundrazi.
Prandaj them se lëvizja e studentëve të dhjetorit e as ngjarjet para kësaj, nuk janë ideuar e orkestruar nga Partia e Punës. Se komunistëve, organizatave bazë e forumeve të Parisë në rrethe nuk u është shtruar kurrë për diskutim çështja e kthimit në kapitalizëm, as problemi i pluralizmit politik, përkundrazi! Po, koha vërtetoi se në dijeni të asaj çka po ndodhte e dakord për të ecur në rrugën e borgjezisë kishte qenë Ramiz Alia me ndopak të tjerë rrotull tij.
Pra, nuk e orkestroi lëvizjen e dhjetorit e kthimin e Shqipërisë në kapitalizëm Partia, po Ramiz Alia, dmth tradhtia me besnikët e vet në “ilegalitet” të thellë! Duke i bërë gjërat fakt të kryer. Ramiz Alia, për fundin e socializmit dhe futjen e Shqipërisë në rrugën e kapitalizmit, ka folur hapur pas 9 dhjetorit, pas pranimit e zyrtarizimit të pluripartizmit dhe krijimit të Partisë Demokratike e asaj Republikane.
Pa dyshim, dukuritë që po ndodhnin ishin qartazi kapitaliste, të imponuara nga jashtë, nga presioni i kapitalizmit. Po komunistët mendonin se gjërat do të ndryshonin përsëri në favor të socializmit dhe se Ramiz Alia nuk i kishte tradhtuar, prandaj ndaj tyre veprohej me maturi, për të mos shkuar drejt dhunës. Po kjo nuk do të thotë se ishte Partia e Punës ajo që e solli kapitalizmin, që orkestronte lëvizjen studentore të dhjetorit ose dukuritë e tjera kapitaliste, jo!
Partia e Punës u trad htua! Këtu ka të tjera gjëra për të thënë në lidhje me përgjegjësitë e saj, po kjo nuk i përket kësaj interviste.
– Pra, ju mendoni se Partia e Punës u trad htua nga Ramiz Alia?
Po, pa asnjë dyshim. Këto që po them ju në këtë intervistë, unë ia kam thënë në sy Ramiz Alisë kur ishte gjallë. Madje i kam dhënë me dorën time librin “Kur tradhtohej socializmi”, ku unë e përcaktoj Ramiz Alinë si kryetradhëtar. Pas vdekjes së tij nuk më ka hije të flas e të sajoj gjëra të paqena. Qartë e prerë, duhet ndarë, aq sa është e mundur, Ramiz Alia nga masa e ndershme e anëtarësisë së Partisë së Punës.
Po, procesi i kalimit të Shqipërisë në kapitalizëm është bërë, pa mëdyshje, me dijeninë e me përkushtimin e Ramiz Alisë, në fshehtësi të plotë e me dredhi, i orientuar, i udhëzuar, i menaxhuar dhe i detyruar prej agjenturave e shteteve të huaja. Nuk ishte diçka e rastit që Rajersoni i SHBA-ve ishte i pranishëm në çdo ngjarje kundërrevolucionare, “mik” i Ramizit e tutor i tij, si dhe aq sa i hynin në punë, edhe i shokëve të Ramiz Alisë.
-Zoti Xhafa, cili është mendimi juaj për liderët e lëvizjes së dhjetorit, posaçërisht për Sali Berishën dhe Azem Hajdarin?
Shiko, unë vërej një shpërdorim të madh të fjalës “lider”. Se, së pari, lider nuk përgatitesh për një javë. Po, ka pasur studentë që u shquan më shumë se të tjerët, për merita të veta apo të të tjerëve, që i futën në “lojë”, kjo është tjetër çështje.
Së dyti, studentët më të ndershëm, ata që u shquan në atë lëvizje, morën arratinë jashtë ose brenda vendit, “të përndjekur” prej shokëve të vet, të cilët u katapultuan në pushtet. Madje, disa edhe u përcollën në atë botë po nga pushteti i tyre. Së treti, unë mendoj se s’mund të kualifikohen si liderë të lëvizjes së dhjetorit ata që infiltroi në radhët e saj Ramiz Alia e Sigurimi i Shtetit dhe që punuan për llogari të agjenturave të huaja e të Ramiz Alisë, deri sa kjo gjë që e nevojshme.
A, vërtet mendoni ju se janë liderë të dhjetorit 1990 ato “figura” që ishin ose janë sot në Parlament?! Po të hapen dosjet me drejtësi, do të dalë sheshit se kush ishin e kush janë liderët e dhjetorit ’90 dhe, po kështu, kush ishin e kush janë “përfaqësues” të popullit.
-Sipas jush, a ishte Sali Berisha besnik i Ramiz Alisë?
Pa nxitjen, mbështetjen, udhëzimet, takimet e Ramiz Alisë nuk do të ishte krijuar as PD-ja, as Partia Republikane. Se jo kot ai thërriste në shtëpi e në zyrën e tij dhe ngarkonte me detyra specifike për “mbarëvajtjen” e protestave të studentëve, Sali Berishën, Sabri Godon e të tjerë. Sidoqoftë, kjo nuk ka qenë veprimtari e Partisë së Punës, po punë e fshehtë e Ramiz Alisë kundër Partisë.
Pa idhullin e tij, Ramiz Alinë, pa tradhtinë e Ramiz Alisë, Sali Berisha kurrë nuk do të kishte ardhur në pushtet! Ai do të kishte ndenjur gjatë nën gurë po të mos e nxirrte prej andej, t’i jepte zemër e ta çonte te studentët Ramiz Alia me Rajersonin e CIA-s! Madje, unë e kam thënë edhe më herët për gazetën tuaj se Ramiz Alia i dha dorën Berishës që në 8 dhjetor, më pas bashkëpunimi i tyre kulmoi në “20 Shkurt” të vitit 1991 dhe në 22 mars të vitit 1992.
-Në dijeninë tuaj, a ka qenë Berisha anëtar i Partisë së Punës. Kohët e fundit ka dalë dhe një foto e tij me Enver Hoxhën dhe një dokument që tregon se ai ka qenë Sekretar i Partisë së Punës, pra komunist?
Sali Berisha nuk ka qenë kurrë komunist i vërtetë! Ai është fshehur nën emrin komunist dhe është mbuluar, e veshur me llak si mik i familjes së Enver Hoxhës! Saliu e urren komunizmin, që e shkolloi dhe e bëri mjek zemre, sepse druhet e trembet mos Enveri vjen sërish.
Kështu që për ta dekriptuar më së miri se kush është Sali Berisha, më lejoni t’ju kujtoj një thënie të Vaclav Havel, presidentit i fundit i Çekosllovakisë dhe i pari i Çekisë, i cili e ka thënë bukur se: “Njerëzit më të poshtër janë “komunistët” të kthyer në antikomunistë”.
-Po tani pas një çerek shekulli, si mendoni, Ramiz Alia bëri më të mirën në atë kohë, apo tradhtoi idealet komuniste dhe Enver Hoxhën?
Për Ramiz Alinë e rolin e tij në përmbysjen e socializmit dhe vendosjen e kapitalizmit në Shqipëri, ka opinione e qëndrime të ndryshme e të kundërta. Të djathtët, të kryesuar prej Partisë Demokratike, nuk i pranojnë “vlerat” në shërbim të borgjezisë të Ramiz Alisë, ndonëse ai i organizoi në proceset kundërrevolucionare dhe u dha pushtetin në tavolinë, kur e urdhëruan. Sepse ai nuk ishte më i nevojshëm për më tej. Pse e bëjnë të djathtët këtë? Sepse kështu u bie “vlera”.
Po kështu të majtët, me PS në krye, as këta nuk e çmojnë Ramiz Alinë, sepse u bie “rybja” edhe këtyre dhe tremben mos i akuzon kush si “mbështetës” të komunizmit, duke harruar se Alia ishte, ndonëse formalisht, lideri i PPSH-së, kur, në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, i solli në krye të pushtetit “pluralist” borgjez dhe pastaj, në Kongresin e 10-të të PPSH-së, në krye të Partisë Socialiste. Ndërsa për ne komunistët, Ramiz Alia është kryetradhëtar!
Ai bëri më të mirën për borgjezinë e jo për popullin, bëri më të mirën për Sali Berishën, që edhe sot është në pushtet. Ramizi e dorëzoi pushtetin si një frikacak i vërtetë. Nuk sqarohen gjërat e Alisë me kaq. Kush është i interesuar, le të shohë një analizë që unë kam bërë në librin “Kur tradhtohej socializmi”. Për ta thënë më troç, për ne komunistët, Ramiz Alia është kryetradhëtari i idealeve komuniste dhe i Enver Hoxhës. E di që dikush thotë se ai ka meritën që kalimi i Shqipërisë në kapitalizëm u bë në paqe, pa ato eksese tragjike, që ndodhën në vendet ish-socialiste.
Po, por kjo u bë jo duke mbrojtur interesat e popullit, të socializmit, idealet e komunizmit, mësimet e Enver Hoxhës, për të cilat ishte betuar se do të luftonte deri në vdekje, po për të sjellë në fuqi borgjezinë, që, siç e shohim, e ka rrjepur popullin dhe po ia merr shpirtin çdo ditë. Jam i bindur se kjo është bërë edhe si premtim, si kusht, për të mos e burgosur ish-presidentin Alia. Po borgjezia nuk ka besë. Alia, si duket, e kishte harruar një mësim të tillë të historisë së revolucionit.
-Megjithatë, duke qenë se intervistat e tua dhënë gazetës “SOT”së fundmi, por edhe më herët gjatë viteve të fundit, janë pritur me shumë interes nga lexuesi, më lejoni t’ju bëj edhe një pyetje të fundit. Sipas jush, çfarë ndodhi më 20 shkurt të vitit 1991 dhe kush e ka meritën për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, pasi në mos gaboj Sali Berisha thotë se i takon atij.
Përrallave të dimrit të shkurtit 1991 dhe dënglave të opozitës, që monumentin e Enver Hoxhës e rrëzuan forcat “demokratike” të popullit, reaksioni e llumit socialist, siç llomotiste Alia nëpër dhëmbë, u doli boja! Se pushteti popullor ato i bënte zap për pesë minuta, në emër të ligjit! Populli e kuptoi qartë se monumenti i Enverit nuk u mbrojt dhe se organet e mbrojtjes, të rendit dhe Partia e Punës u nxorën jashtë loje nga Ramiz Alia dhe vegla e tij, Hekuran Isai, me të tjerë rreth kupolës së tradhtisë.
Populli e kuptoi qartë se ato 10 a 15 mijë vetë, të mbledhur në Sheshin “Skënderbej” shumica sehirxhinj, nuk përfaqësonin e as nuk mund të përfaqësonin popullin shqiptar, forcën e vullnetin e tij. Asokohe qenë hequr njeri pas tjetrit monumentet e Stalinit dhe Leninit në Tiranë. President i vendit dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së ishte Ramiz Alia. Çdo njeri me “dy para mend në kokë” e kuptoi se ishte Ramiz Alia me të tijtë, jo opozita, ai që i kishte organizuar e realizuar natën këto dy aksione kriminale me mjetet e shtetit.
Se pa lejen e tij askush nuk mund të vinte dorë! Ishte ky një tatim pulsi edhe për shumë “palokomunistë e paloudhëheqës” të urryer të PPSH-së, një “trokitje” për monumentin e shokut Enver! Përgatitjet, “kopsitur” me Berishën, për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, kishin filluar.
Berisha asgjë nuk bënte e nuk mund të bënte pa dijeninë e pa yzmin e “idhullit” të tij, Ramiz Alia. Por ky i fundit nuk “guxoi” ta shtronte për diskutim në popull çështjen e monumentit të Enver Hoxhës, siç kishte premtuar publikisht në televizionin shtetëror shqiptar.
Mjeshtër i kurtheve të errta, me 20 shkurt 1991, ai thirri dhe mbylli në Sallën e Madhe të KQ të PPSH-së anëtarë të KQ dhe sekretarë të parë të KP të rretheve, ministra e anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i rrethoi me forcat besnike të tij, që të mos kishin mundësi të reagonin në kohën e beftë, kur ky të jepte lajmin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. H. Isai me shokët e tij s’ishte në sallën e mbledhjes, sepse ishte i ngarkuar në krye të operacionit për rrëzimin e monumentit të Enverit, pa i hyrë kujt “gjemb në këmbë.
Intervistoi: Rigels Seliman/SOT