Avokati dhe politikani i njohur, Spartak Ngjela ishte i ftuar në një studio televizive, ku ka folur për zhvillimet e fundit nga politika.
I pyetur se si e sheh të ardhmen për dy figura të njohura të politikës në vend, si ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta, pas ligjit për dekomunistizimin, i propozuar nga mazhoranca, Ngjela deklaroi se e nuk e sheh Berishën më në politikë.
Sipas tij, ligji e përjashton atë, ndërsa ndryshe mendon për Metën, për të cilin tha se ka mbrojtje.
“Sipas ligjit që kanë paraqitur këta, që e bëjnë në funksion të prestigjit amerikan, Berisha nuk ka të ardhme politike. Meta nuk është non grata. Saliu është me vendim të formës së prerë sepse nuk e ankimoi vendimin. Meta nga ana tjetër ka mbrojtje. Ka të drejtë të nxjerrë këtë atë etj. Ta merr parasysh gjykata mbrojtjen apo jo, është tjetër çështje. Meta ka të drejtë ta bëjë ligjin, pastaj do e fitojë apo jo është gjë tjetër. Është një çështje që ka të bëjë me fakte.
S’kam pse e mbroj Metën, por ka mangësi faktesh nga ana që paraqesin akuzat se është agjent i ish-Sigurimit”, deklaroi ai. Ndërkohë, sa i përket sesionit të ri politik, Ngjela tha se do ketë përplasje, ndërsa shtoi se me përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga parlamenti do ketë disfavor dhe për Edi Ramën, pasi sipas tij për sa kohë Berisha është pjesë e Partisë Demokratike, e djathta nuk do jetë në pushtet. “Do të ketë përplasje. Ka dhe Rama disa disfavore.
Eliminimi i Saliut e kthen PD-në në pushtet. Saliu e mban PD-në jashtë pushtetit. Rama është me Saliun që PD të mos kthehet në pushtet. Saliu është non grata në Amerikë dhe ligji e përjashton. Saliu nuk e kupton që e dëmton PDF-në. Duke qenë ai kryetar i PD nuk vjen dot në pushtet.
Nuk ka vota edhe po u bashkua me Metën. Është non grata në Amerikë, shqiptarët nuk e votojnë. Do dalë ambasadorja amerikanë do thotë është non grata. Saliu nuk heq dorë sepse do të krijojë tension shoqëror edhe pse e di se nuk merr vota”, nënvizoi Ngjela.