Prapaskenat E FORTA! Vuçiç drejt njohjes së Kosovës, ja çfarë merr si këmbim

Serbia në fund do ta njohë përfundimisht Kosovën si shtet të pavarur. Lajmin e ka dhënë Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë. Ai shpreh bindjen se Beogradit i është premtuar nga Brukseli si këmbim të kësaj anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nëse kusht për këtë është njohja e Kosovës, shtrohet pyetja se a mund të heqë dorë Serbia nga integrimet evropiane? “Mendoj se ka pak mundësi për këtë“, përgjigjet Kupchan. Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë “i aftë në balancim dhe uljen në dy karrige”. “Besoj se, në fund, do të jetë një nxitje e fortë dhe e mjaftueshme për Serbinë që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Aktualisht, këto procese janë në regres dhe luf ta në Ukrainë është duke tërhequr vëmendjen më të madhe. Fluksi masiv i refugjatëve ukrainas mund të ngadalësojë integrimin evropian. Megjithatë, e konsideroj si një pauzë të përkohshme,” tha zyrtari i lartë amerikan.

Sinjalet e forta nga ndërkombëtarët

Nuk ka kaluar as një javë nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse/dalëse dhe nga dy palët ka pritshmëri për përparim të mëtejshëm. Sinjalet pozitive kanë ardhur nga reagime dhe lëvizje të fuqishme nga amerikanët, por më fort edhe Brukseli.

Shtetet e Quint-it, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe SHBA po krijojnë një zë të përbashkët lidhur me këtë proces, ku në fund pritet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Shenjë e fortë për një gjë të tillë, sipas tyre, është vendimi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe i presidentit francez, Emmanuel Macron, për të emëruar këshilltarët e tyre për dialogun.

Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune u tha se do t’i ofrojnë mbështetje të dërguarit të BE-së për këtë proces, Mirosllav Lajçak. Lajçak dhe dy këshilltarët e rinj pritet të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi, më 9 shtator.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bën të ditur se Lajçak dhe këshilltarët e rinj do të takojnë më 9 shtator Kurtin në Prishtinë dhe Vuçiçin në Beograd. “Ne, me të vërtetë, duam të bëjmë sa më shumë që të mundemi, për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë të gjitha kompromiset e nevojshme dhe pajtimin për ta çuar dialogun përpara, për t’i mbyllur të gjitha çështjet e hapura dhe, përfundimisht, të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, të pranueshme reciprokisht dhe të detyrueshme ligjërisht”, thotë Stano në një reagim të fundit.

I pyetur nëse dialogu është duke hyrë në një fazë të re, Stano shpjegon: “Afatet kohore dhe rezultatet në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, varen gjithmonë nga aftësia, vullneti dhe gatishmëria e dy palëve për të gjetur kompromisin e nevojshëm. BE-ja, si lehtësuese e këtij dialogu, po përpiqet t’i ndihmojë të dyja palët në gjetjen e këtij kompromisi. Çdo gjë që është duke ndodhur tani, është pjesë e këtij aktiviteti”.

Sfidë tani mbetet riregjistrimi i automjeteve. Serbia kërkon negociata, duke propozuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Qeveria e Kosovës nuk heq dorë nga vendimi i saj. Procesi i riregjistrimit, i cili është thënë se do të zgjasë dy muaj, ka nisur më 1 shtator.

Se cilat do të jenë “vendimet e vështira” të palëve që t’i normalizojnë marrëdhëniet, mbetet të shihet. Kosova e ka bërë të qartë se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të përfshijë njohjen reciproke me Serbinë, të cilën gjë Serbia, tash për tash, thotë se nuk do ta bëjë.

Ngushtohet “laku” për Vuçiçin

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët i kanë ngushtuar edhe më shumë lakun Vuçiçit me qëndrimet e tij të fundit pro Rusisë. Politikat e tij me dy karrige pritet të marrin fund së shpejti, pasi BE është gati të pezullojë dhënien e ndihmës financiare dhe t’i heqë statusin kandidat Serbisë nëse mbështet Putinin dhe nuk tregohet bashkëpunuese në dialogun me Kosovën.

Published
Categorized as Lajme

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *