Vendimi i BUJSHËM! Policia TANI mund të bëjë shërbime ekstra me pagesë (Detajet)

Policia e Shtetit do të ofrojë edhe shërbime ekstra me pagesë, sipas një vendimi të qeverisë të miratuar dje.

Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit të tij në fletoren zyrtare, sipas të cilës bëhet fjalë për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, në bazë të kërkesës së tyre, por edhe për situata të tjera si shërbime për kinematografinë apo shoqërimin e mjeteve që transportojnë lëndë të rre zikshme.

Aplikimi për të kërkuar shërbimet e policisë do të bëhet në e-Albania.

VENDIMI:

MIRATIMIN E LLOJEVE TË SHËRBIMEVE SHTESË QË OFRON POLICIA E SHTETIT DHE TARIFAVE TË PAGESËS PËR PERSONAT JURIDIKË E FIZIKË, PUBLIKË OSE PRIVATË V E N D O S I:

1. Policia e Shtetit ofron shërbime shtesë kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, në bazë të kërkesës së tyre, për:

a) mbështetje në zhvillimin e aktiviteteve kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, si: panaire, ekspozita, teatro, koncerte, shfaqje, festivale të ndryshme, në mjedise të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, në rastet kur organizatorët e këtyre aktiviteteve nuk janë pajisur me vërtetim sigurie nga Policia e Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.19/2016, “Për masat shtesë të sigurisë publike”, me sigurimin fizik privat, për të ruajtur sigurinë brenda perimetrit të zhvillimit të aktivitetit;

b) vënien në përdorim të uniformës së Policisë së Shtetit, armëve me fishekë manovre, pajisjeve të tjera, mjeteve të loguara policore dhe ambienteve, në fushën e kinematografisë, gjatë zhvillimit të xhirimeve filmike;

c) shoqërimin e automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme, në rastin e kushteve shtesë të sigurisë, sipas ligjit nr.118/2012, “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, e të mjeteve jashtë norme dhe transporteve në kushtet jonormale, sipas përcaktimeve të neneve 10, 61 dhe 62, të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë;

ç) ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm për një periudhë deri në 3 (tre) muaj ndaj personave juridikë publikë me rëndësi strategjike, aktiviteti i të cilëve vlerësohet në rrezik, si dhe ndaj personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

2. Tarifa për shërbimet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Subjektet juridike e fizike, publike ose private, që kanë nevojë për shërbime policie shtesë, paraqesin kërkesë të argumentuar on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-albania”, jo më vonë se tri ditë përpara datës së shërbimit të kërkuar. Pas vlerësimit të kërkesës, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve, subjektit i kthehet përgjigje on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e- Albania” për miratimin ose refuzimin e kërkesës dhe i dërgohet kontrata e ofrimit të shërbimit, e cila nënshkruhet nga titullari i njësisë shpenzuese, që ofron shërbimin.

4. Të ardhurat, që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90% nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar mbulimin e shpenzimeve të kryera për ofrimin e shërbimit, sipas këtij vendimi, dhe 10% derdhen në buxhetin e shtetit. Këto të ardhura nuk mund të përdoren në asnjë rast për shpërblim.

5. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Published
Categorized as Lajme

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *