Ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth II ka shkaktuar një vërshim homazhesh e trishtimi nga e gjithë bota, dhe ndërsa detajet e funeralit të saj ende nuk janë shpallur, disa liderë botërorë kanë njoftuar tashmë nëse planifikojnë të marrin pjesë.
Presidenti i SHBA Joe Biden ka konfirmuar se po planifikon të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës kur ai të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan Sky News.
Ndërsa ende nuk janë bërë të ditura plane zyrtare për funeralin e Madhërisë së Saj, ceremonia pritet të zhvillohet brenda 10 ditëve pas vdekjes së saj.
Biden ishte presidenti i 13-të dhe i fundit amerikan që takoi Mbretëreshën, mbretërimi i së cilës zgjati shtatë dekada.
Ndërsa presidenti ka angazhuar pjesëmarrjen e tij në funeralin e monarkut, liderët e tjerë botërorë nuk kanë qenë aq të afërt.
Nuk duket se presidenti rus Vladimir Putin do të shfaqet në ceremoni, me një zëdhënës të lartë të Kremlinit duke thënë se Mbretëresha nuk ka “zënë vend në zemrat e rusëve”.
Pas lajmit për vdekjen e saj, Putin i dërgoi mbretit Charles një telegram duke i ofruar ngushëllimet e tij dhe duke i uruar atij “guxim dhe këmbëngulje” përballë “humbjes së tij të pariparueshme”.
Megjithatë, të premten, zëdhënësi Dmitry Peskov tha: “Unë nuk mendoj se ajo (Mbretëresha Elizabeth II) ka zënë vend në zemrat e rusëve.
“Ajo trajtohej me respekt në Rusi, si kudo në botë, ajo u trajtua me respekt për mençurinë e saj, për autoritetin e saj ndërkombëtar. Cilësi të tilla janë të mangëta në skenën ndërkombëtare.”
Në Turqi, presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se do të dëshironte të merrte pjesë në funeralin e Madhërisë së Saj, me kusht që ta lejonte plani i tij.
Ai u tha gazetarëve se e njihte mbretëreshën, pasi e kishte takuar dy herë në Pallatin Buckingham dhe i ka dërguar ngushëllimet më të thella familjes mbretërore.
“Nëse gjejmë mundësinë, do të donim të ishim të pranishëm në këtë ceremoni”, tha Erdogan.
Një person që pritet të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës është Emmanuel Macron.
Presidenti francez shprehu “trishtim të thellë” dhe një ndjenjë “zbrazëtie” pas vdekjes së monarkut dhe vlerësoi “dashurinë e saj të madhe për Francën”.
Perandori i Japonisë Naruhito po planifikon të marrë pjesë në funeralin dhe ai mund të shoqërohet nga kryeministri Fumio Kishida, kanë raportuar mediat japoneze.
Do të ishte udhëtimi i parë i perandorit jashtë shtetit që nga hyrja në fron në maj 2019.
Perandoresha Masako gjithashtu ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë dhe qeveria japoneze po organizon udhëtimin e tyre, thanë të premten NTV, TBS dhe media të tjera, duke cituar burime qeveritare.