Rrëqebulli i Ballkanit është fotografuar për herë të parë në zonën e mbrojtur Guri i Nikës, në Pogradec.Kamerat e kurthit të vendosura nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Korçë, bënë të mundur dokumentimin e kësaj specieje të rrallë, e cila njihet si e rrezikuar.
Kjo specie po vazhdon shtrirjen e habitatit të tij në territorin shqiptar, falë metodave të konservimit të aplikuara në këto zona. Rrëqebulli i Ballkanit ka një përhapje të kufizuar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Rrëqebulli i Ballkanit ka një pamje të jashtme si të gjithë pjesëtarët e tjerë të gjinisë Lynx. Madhësia trupore është pak më e vogël se ajo e rrëqebullit të Eurazisë.
Është një mace me këmbë të gjata dhe robuste. Gëzofi është i verdhërremë-murrmë në verë, më i zbehtë në dimër, shumë laraman në këmbë, por me më pak lara mbi shpinë.
Njollat mund të jenë të zbehta dhe të bashkuara në një formë pothuajse të rozetës, duke dhënë përshtypjen e të qenurit të mëdha; ato variojnë në madhësi, formë dhe intensitetin e ngjyrës.
Kafshët kanë një kokë relativisht të vogël, këmbë të gjata, dhe një bisht shumë të shkurtër me majë të zezë. Fytyra e tyre është e shkurtër dhe e rrumbullakët, me një “mjekër” karakteristike në të dyja anët, që spikat veçanërisht te adultët, dhe veshët trekëndorë mbarojnë me një xhufkë të zezë.