Prapaskenat “e dashurisë” Rama-Vuçiç, ambasadori Hill tregon çfarë i tha presidenti për kryeministrin kur ndodhi suImi iranian

Dikur ka qenë “i nderuari Edi Rama”, sot është “Edi”, kështu janë zhvilluar ndër vite marrëdhëniet fantastike ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrit Edi Rama.

Lidhjet e tij të ngushta me Vuçiçin i ka përforcuar dhe më shumë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, i cili ka zbuluar së fundmi një detaj mjaft interesant për ortakërinë e fortë Rama-Vuçiç. Ambasadori i SHBA, teksa reagoi mbi lajmin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë, tregoi bisedën me presidentin serb për kryeministrin Rama.

“Erdhi lajmi për një sulm kibernetik kundër Shqipërisë. Unë isha me një vizitor duke takuar presidentin Vuçiç dhe lajmi sapo kishte dalë. Vuçiç tha që duhet të marr në telefon Edin”, tha ambasadori Hill. Përpara amerikanëve, presidenti Vuçiç vendosi Ramën, pasi u mësua se ai braktisi takimin me Hill. Ambasadori amerikan e bëri deklaratën gjatë Forumit Energjetik të Evropës Juglindore, që u mbajt në Selanik. Interesant është fakti tjetër që Vuçiç vazhdon ta quajë “Edi”

Rama shfaqet si zëdhënës shtypi i Serbisë

Rama ka arritur deri aty sa ka “shitur pavarësinë e Kosovës” për shkak të nismës rajonale “Ballkani i Hapur” dhe rolit dominues që i ka dhënë Serbisë. Gjithashtu, gjatë gjithë kësaj periudhe së fundmi, Rama në një deklaratë rreth qëndrimit të tij ndaj Serbisë është munduar sërish të justifikojë vëllanë Vuçiç, në raport me besnikërinë “qenërore” që po mban ndaj Rusisë.

Në reagimet e tij pak kohë më parë, Edi Rama kërkoi që, lufta të rrijë larg nga Ballkani dhe e vetmja mënyrë është që, Perëndimi mos t’i kërkojë Serbisë të prishë marrëdhëniet me Rusinë. Por në këtë mënyrë Rama kërkoi indirekt mosnjohjen e Kosovës, pasi vetë Beogradi e ka pranuar se qëndrimi i tij pro-rus është linja që mban Vladimir Putini për Kosovën, ku Rusia nuk e njeh si shtet.

Gjatë nëntë vjetëve të qeverisjes së tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka kushtuar një rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Serbinë. Beogradi është kryeqyteti që Rama e ka vizituar më shpesh dhe Vuçiç është lideri rajonal, me të cilin është takuar më së shumti.

Në tetë vitet e fundit, Rama dhe Vuçiç janë takuar 17 herë, kokë më kokë dhe në kontekstin e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë dy vizita zyrtare që Vuçiç bëri në Tiranë dhe tri vizita të Ramës në Beograd.

“Ballkani i Hapur”

Kryeministri Rama dhe presidenti serb janë afruar shumë vitet e fundit dhe rolin kryesor për këtë bashkëpunim shumë të ngushtë si asnjëherë më parë e mban nisma e përbashkët për “Ballkanin e Hapur”, e cila synon qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, në nëntor të vitit 2021, Rama i tha medieve gjermane se mendonte se të gjithë do të vijnë në “Ballkanin e Hapur”, sepse “nuk ka rrugë tjetër”. Mirëpo, nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, deri më tani, nuk kanë arritur të tërheqin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndonëse kanë thënë vazhdimisht se dera është e hapur për të gjithë, përfshirë edhe Kosovën.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kundërshtar i “Ballkanit të Hapur”. Kështu, në gusht të vitit 2021, në një ngjarje në Prishtinë, ai vlerësoi se nisma i ngjante më shumë Ballkanit të hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Rusia dhe Kina. Dhe, pikërisht kjo ka qenë arsyeja që Vuçiç të nisë të mbrojë Ramën, duke thënë se po bën gjëra të mira për vendin dhe popullin e tij. Aktualisht Ballkani i Hapur sipas ekspertëve ka disa qëllime: izolimin deri në ndarje të Kosovës, riaktivizimin e sherreve dhe politikave të vjetra dhe nxjerrjen jashtë loje të ndërkombëtarëve dhe fuqizimin e Serbisë në Ballkan.

Kryeministri Rama po i jep një dorë, duke ia bërë edhe më të lehtë Vuçiçit. Por tani mbetet të shohim se çfarë qëndrimi do të mbajë kryeministri Rama, kur Perëndimi të nisë izolimin e Serbisë për shkak të politikës së saj me dy karrige që po mban ndaj Rusisë dhe Kosovës.

Published
Categorized as Lajme

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *