Anëtari i Kryesisë së PD-së, Arben Ristani, teksa ka folur për financimin e PD-së nga Rusia, është shprehur se para disa kohësh, Lulzim Basha refuzoi të shkonte në prokurori, kur u thirr për këtë çështje.
Në një intervistë për Euronews Albania, Ristani tha se edhe ai fillimisht u ndalua nga ish-kryetari i PD-së të shkonte herën e parë në prokurori, por herën e dytë i ka fikur telefonin Bashës.
“Basha nuk ka dashur të paraqitet në prokurori, e madje herën e parë nuk u paraqita as unë me kërkesën e tij, por bëra një veprim tjetër. Herën e dytë i mbylla telefonin Bashës dhe u paraqita në Prokurori sepse isha me të drejtën time. Më pas shkoi ai,”- nënvizoi ai.
Sipas tij, e çuditshme është mënyra se si ka vepruar prokuroria, pasi ndërprenë akuzën për pastrim parash.
“Ajo që është e çuditshme në mënyrën se si ka vepruar prokuroria, pasi akuzën për pastrim parash, ata e ndërprenë dhe ngritën një akuzë që dihej se nuk do të qëndronte dhe ashtu ndodhi. Akuza për falsifikim u rrëzua nga Gjykata. Kishte të dhëna që duheshin hetuar”- theksoi ai.
Ndër të tjera Ristani theksoi: “Për ne ka qenë e pabesueshme që vetë Basha të kishte marrë para nga burimet ruse. Unë nuk besoj se paratë janë ruse, unë besoj se janë para të zeza që në Shqipëri ka”.