Çfarë i lidh bashkë Putin, Vuçiçin dhe Ramën? Serbia ngre në qiell kryeministrin shqiptar

Mediat në Serbi kanë “ngritur në qiell” kryeministrin Edi Rama, duke i dhënë çdo ditë e më shumë hapësirë për shkak të deklaratave të tij në mbrojte të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, indirekt një mbështetje edhe për Vladimir Putinin.

Rama së fundmi vazhdon të justifikojë në gazeta të mëdha të huaja, raportet shumë të mira të Vuçiçit me Moskën, duke lëshuar kritika në adresë të Perëndimit. Rama ditën e djeshme ka deklaruar në një intervistë për gazetën gjermane “Spiegel” se duhet mirëkuptim për mosvendosjen e sanksioneve nga ana e Serbisë.

Ai e konsideron Vuçiçin një aleat shumë të fortë që në bashkëpunim me nismën “Ballkani i Hapur” mund të vendosin paqen në rajon. Nga ana tjetër, ashtu siç kanë pasqyruar intervistën e Ramës, mediat serbe kanë nxjerrë edhe reagimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili zbuloi se qeveria e tij do të vijojë të bashkëpunojë më shumë me Serbinë. Nga ajo që shkruajnë mediat serbe, Putin flet shumë shpesh me Vuçiçin, njësoj si kryeministri Rama.

“Rusia dhe Serbia janë të lidhura me një partneritet strategjik. Duke u mbështetur në traditën e miqësisë, afërsisë kulturore, shpirtërore dhe historike të popujve tanë vëllezër. Unë flas rregullisht me presidentin Vuçiç në takime personale dhe në biseda telefonike, për çështjet kyçe të zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit”, tha lideri rus. Gazeta “Sot” raportoi pak ditë më parë edhe bisedat e vazhdueshme të Ramës me Vuçiçin, të cilat i zbardhi dhe ambasadori i SHBA në Serbi.

Rama mbron sërish Serbinë

Edi Rama i doli në mbrojtje Serbisë. “Ndikimi i Moskës në Serbi është i fortë, në pjesën serbe të Bosnje-Hercegovinës është madje shumë i fortë. Rusia ka shumë ndikim te serbët. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ky ndikim mund të shndërrohet në diçka të tmerrshme.

Nuk mund të kërkosh shumë nga Beogradi tani. Gjithçka mund të përmbyset. Serbia, për shembull, nuk mund të sanksionojë Rusinë,” tha ai. Madje Rama e mbrojti edhe mikun e tij, Vuçiç, duke thënë se ai nuk mund ta njohë Kosovën.

“Historia e shqiptarëve dhe e serbëve është histori dhimbjeje dhe gjaku. Por, kur u zgjodha kryeministër, vendosa të shkoj në Beograd. Vizita ime në vitin 2014 ishte e para e një kreu të qeverisë shqiptare në Serbi pas 68 vjetësh.

Dhe pastaj Vuçiç erdhi në Tiranë. Kjo tregon se sa larg kemi arritur. Për Kosovën ramë dakord që nuk do të pajtoheshim. Mendoj se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Por, Aleksandër Vuçiç nuk mund ta bëjë këtë. Por, të paktën mund të flasim për këtë temë. Dhe ne bashkëpunojmë në projekte si ai i Ballkanit të Hapur”, tha Rama për mediat gjermane.

Putin aleancë të ngushtë me Vuçiçin

Sipas mediave serbe, presidenti Vladimir Putin ka vlerësuar përpjekjen e serbëve për të ndjekur një politikë të ekuilibruar dhe të pavarur në skenën atje ndërkombëtare. Kjo duke shtuar se Rusia dhe Serbia do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në sferat ekonomike, shkencore-teknike dhe humanitare.

“Në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë miqve tanë serbë mbështetje gjithëpërfshirëse në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave legjitime të Serbisë, duke mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror dhe integritetin territorial”, tha në fjalimin e tij Putin.

Pra sa më shumë shtohet afrimiteti i Ramës me Vuçiçin, aq më shumë shtohen lidhjet e Vladimir Putinit në Ballkan.

Published
Categorized as Lajme

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *