Dame Hilary Mantel, autorja e trilogjisë më të shitur “Wolf Hall”, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare. Agjencia letrare A M Heath dhe botuesi i saj HarperCollins njoftuan se shkrimtarja vdiq “papritmas dhe paqësisht” më 22 shtator, e rrethuar nga familjarët e saj dhe miqtë.
“Hilary Mantel ishte një nga romancieret më të mëdha angleze të këtij shekulli dhe veprat e saj konsiderohen klasike moderne. Ajo do t’w na mungojë shumë”, thuhet nw deklaratw.
Mantel ka lindur në Glossop, Derbyshire, Angli më 6 korrik 1952. Ajo studioi drejtësi në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe Universitetin Sheffield.
Ajo ishte e punësuar si punonjëse sociale dhe jetoi në Botsvana për pesë vjet, ndjekur nga katër vjet në Arabinë Saudite, përpara se të kthehej në Britani në mesin e viteve 1980. Mantel u martua me gjeologun Gerald McEwen më 23 shtator 1972.
Në vitin 1990 ajo u zgjodh anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë, në vitin 2006 fitoi një CBE dhe në 2014 u emërua DBE.
Ajo shiti 2.5 milionë libra për 23.4 milionë paund përmes Nielsen BookScan TCM, me Wolf Hall ndër më të shiturit, me 1.09 milionë kopje të shitura në të gjitha botimet.
Shkrimtarja fitoi çmimin Man Booker Prize dy herë, për Wolf Hall dhe vazhdimin e tij, Bring Up the Bodies, i cili gjithashtu fitoi Costa Book of the Year në 2012.