Duke i cilësuar si marrëdhënie të shkëlqyera, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka preferuar të nisë kështu replikën për takimin e tij të shumëpërfolur me ambasadoren Kim dy ditë më parë (23 shtator). Nisur nga këto marrdhënie, Meta u shpreh se shpallja Non Grata e Berishës ka ardhur si faturim i veprave të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Futja në listën e zezë të ish kryeministrit Sali Berisha ishte një vendim për të cilin ish presidenti nuk ka qenë dakord por gjithsesi, kryetari i Partisë së Lirisë, nuk ngurroi të thoshte se nëse do i duhej të zgjidhte mes PD-së dhe SHBA do ishte tërësisht i pavarur. Ish-kreu i shtetit preferoi të shmangej në mënyrë të tillë nga një koalicion i mundshëm mes tij dhe Berishës dhe në rast se mes kësaj marrëdhënieje do të kishte një ndërhyrje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë nuk mund t’ju flas se cilat ishin mesazhet e zonjë ambasadore. Ata flasin vetë nëse kanë diçka për të thënë. Por mund t’ju them se çfarë i thash zonjës ambasadore. I thashë mendimin tim për shpalljen e Berishës ‘Non grata’. I shpreha bindjen time se kjo është vepër e Lulzim Bashës dhe Eid Ramës në bashkëpunim,.
Gjithë vendimet e gabuara i ka marrë në bashkëpunim me Edi Ramën, djegia e mandateve, bojkotimi i votimit të reformës në drejtësi, falja e pushtetit vendor. Të gjitha këto vendime ja ka faturuar Berishës, ky është fakt dhe vendim i SHBA që nuk kemi pse ta diskutojmë. Unë e vlerësoj efektin pozitiv të këtij vendimi për të cilin nuk kam qenë dakord. Por pa një vendim të tillë do të kishim sërish Bashën kryetar të PD-së. Ne nuk bëjmë zgjedhje midis zotit Berisha dhe Amerikës.
Ne kemi programin tonë që është 100% i pavarur dhe nga vetë PD. Respektojmë vendimet që marrin simpatizantët e PD-së. Ne i qëndrojmë programit tonë për të përmbushur 100% detyrimet tona dhe njëkohësisht për të përshpejtuar me ritme marramendëse luftën kundër korrupsionit që janë kyçe për çeljen e negociatave,”- u shpreh Meta.
“Unë mund t’iu them se marrëdhëniet e mia me SHBA gjithmonë kanë qenë dhe janë të shkëlqyera. Sidomos në forcimin e partneritetit bilateral, në plotësimin e detyrimeve tona si anëtar i NATOS. Dhe së treti sa i takon përshpejtimit të integritetit evropian që është një interes tjetër i SHBA. Dhe kemi patur një bisedë shumë të hapur, konstruktive, shumë bashkëpunuese, këtë mund të thosha,”- përfundoi Meta.
Kujtojmë se takimi i Kim dhe Metës erdhi si surprizë pas gjithë përplasjeve të bëra mes tij dhe diplomates, kur Meta kishte ende kostumin e presidentit. Më herët, gjatë fushatës së tij në 2021, Ilir Meta, megjithëse në rolin e presidentit të vendit, me një gjuhë të paprecedentë sulmoi asokohe ambasadoren amerikane Yuri Kim, ku i kërkonte që mos të ndërhynte në zgjedhjet parlamentare.
Vetë diplomatja amerikane dë noi gjuhën e ashpër të Ilir Metës, gjatë fushatës elektorale, ku ish-kreu i shteti u bënte thirrje qytetarëve, që të mprehin sfurqet e sëpatat që të mbrojnë votën.
Yuri Kim dë noi ashpër aso kohe fjalorin e Metës, duke e shigjetuar drejtpërdrejt kreun e shtetit dhe duke i thënë se thirrjet e tij për mprehje të sfurqeve dhe sëpatave janë të papranueshme dhe të dënueshme dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Përpos Metës, edhe vetë kreu i Rithemelimit, Sali Berisha e ka komentuar këtë takim të cilin e ka konsideruar si një takim normal me përfaqësitë e SHBA.